Tenderi 100 milionësh me shkelje ligjore

Ministria e Infrastrukturës po synon t’i lidhë tetë (8) kontrata në vlerë prej 99 milionë e 651 mijë eurove për ndërtimin e 22,3 kilometrave rrugë në drejtim të Gjilanit. 27 kompani kanë marrë pjesë në këtë tender të madh, të cilat kanë dorëzuar oferta në pjesën më të madhe të lloteve. Por, Ministria e Infrastrukturës i ka eliminuar si të papërgjegjshme 173 oferta, duke i lënë të përgjegjshme vetëm 8 prej tyre.

Të gjitha ofertat e përgjegjshme kanë rezultuar edhe fituese të tenderëve. Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës këto 8 kompani i ka shpallur të përgjegjshme vetëm për nga një llot secilën, edhe pse shumica e këtyre kompanive ka ofertuar në të gjitha llotet. Vlera totale e këtij projekti e ndarë në 8 njësi sipas ofertave që Ministria e Infrastrukturës i ka shpallur fituese arrin në 99 milionë e 651 mijë euro.

Pjesa më e madhe e ofertave të eliminuara kanë qenë më të lira sesa ofertat e rekomanduara për kontratë. Si rezultat i faktit që Ministria e Infrastrukturës ka shpallur të përgjegjshme vetëm nga një ofertë për secilin llot dhe i ka eliminuar nga gara të gjitha ofertat tjera si të papërgjegjshme, shumica prej tyre me oferta dukshëm më të lira, autostrada Prishtinë-Gjilan i kushton buxhetit të Kosovës për 33 milionë e 602 mijë euro më shtrenjtë.

Nëse Ministria e Infrastrukturës do të nënshkruante kontrata me ofertuesit më të lirë, autostrada Prishtinë-Gjilan do të kushtonte 66 milionë e 48 mijë euro dhe jo 99 milionë e 651 mijë euro.

Procedura e këtij tenderi ka nisur me datën me 12 qershor, një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme që janë mbajtur në Kosovë. Ofertat ishin dorëzuar me datën 21 korrik të vitit 2017, në kohën kur Kosova ishte në krizë institucionale për formimin e qeverisë. Komisioni Vlerësues prej pesë anëtarësh e kishte përfunduar punën e tij me datën 8 shtator 2017. Mbarimi i vlerësimit të ofertave që kishte rezultuar me eliminimin e 173 ofertave ishte bërë vetëm një ditë para se të votohej Qeveria Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.

Ankesa që i çoi dy persona në burg

Tenderi për ndërtimin e autostradës për në Gjilan është njëri prej tenderëve më të mëdhenj që është proceduar nga institucionet e Kosovës, duke i përjashtuar dy kontratat e mëdha që janë lidhur me Bechtel & Enka. Ky projekt është ndarë në 8 pjesë që do të thotë se duhet të nënshkruhen 8 kontrata. Në mesin e 8 kontratave që Ministria e Infrastrukturës po synon t’i lidhë me operatorët është edhe lloti i 5, ai problematik.

Kompania Sallahu është rekomanduar për nënshkrimin e kontratës për këtë llot nga Minsitria e Infrastrukturës. Kompania “Sallahu”, që është në pronësi të Naim Sallahut kishte ofertuar me 21 milionë e 478 mijë e 937 euro (21,478,937). Oferta e operatorit “Sallahu” ka qenë më e shtrenjtë se plot 12 oferta tjera, të cilat janë eliminuar nga Ministra e Infrastrukturë. Në total janë eliminuar 15 oferta si të papërgjegjshme.

Oferta më e lirë kishte qenë 11 milionë e 900 mijë e 925 euro, apo për më shumë se 9.5 milionë euro më lirë se oferta e kompanisë “Sallahu”. Dy oferta kanë qenë me çmimin prej rreth 15,5 milionë eurove dhe një tjetër me 16.9 milionë euro. Në mesin e operatorëve që janë eliminuar për këtë pjesë të rrugës janë edhe operatorë që janë shpallur fitues në llotet tjera.

Pronarit të kompanisë “Sallahu” i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh si i dyshuar për kërcënimin ndaj kreut të OShP-së Blerim Dina. E njëjta masë i është caktuar edhe Shaban Lushtakut.

Në kërkesën e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com pretendohen se Sallahu dhe Lushtaku kanë tentuar ta detyrojnë Blerim Dinën të kryejë veprim kundër pasurisë publike në tenderin prej 21 milionë eurove.

Në kërkesën e saj prokuroria ka përshkruar edhe veprimet e të dyshuarve.

“I dyshuari Sallahu i ka thënë Dinës se ‘ky tender ka vlerën njëzet e një milion euro, kjo punë duhet të kryhet dhe kushton me jetë’”, thuhet në kërkesën për paraburgim.

Prokuroria ka përshkruar se është duke tentuar të zbulojë identitetin e dy personave të tjerë të cilët dyshohet të kenë gisht në këtë rast, por të cilët ende janë të paarritshëm për prokurorinë.

Nga një analizë e thjeshtë e ofertave të operatorëve ekonomikë që janë pasqyruar në ekspertizën e ekspertit të angazhuar nga OSHP-ja, shihet se vetëm për llotin I ministria ka pranuar 17 oferta. Sipas vlerësimit të Ministrisë së Infrastrukturës fitues është shpallur koncerziumi “Al Trade & Salillari” me ofertën e tyre prej 16 milionë e 25 mijë euro. Për më tepër kjo ka qenë oferta e vetme e përgjegjshme, pasi që të gjitha ofertat tjera janë shpallur të papërgjegjshme. Siç shihet në dosjen e ekspertizës kanë qenë 3 oferta më të lira sesa oferta e operatorit të shpallur fitues për njësinë e parë (llot 1). Oferta me çmimin më të ulët e cila ishte shpallur e papërgjegjshme ishte 14,4 milionë euro, apo 1.6 milionë euro më e lirë se oferta fituese e koncerziumit “Pevlaku & Joos Krasniqi”. Operatori ekonomik “Fusha SHPK- 4A-M SHPK” kishte ofertuar 15,7 milionë euro, por ishte eliminuar nga gara. Njëjtë ishte eliminuar edhe kompania “Dino SHPK”, e cila kishte ofertuar 14 milionë e 419 mijë euro.

Eliminimi i ofertave më të lira

E njëjta situatë ka ndodhur edhe me ofertat për llotin II të kësaj autostrade. Ministria e Infrastrukturës e ka rekomanduar për kontratë ofertën e 15-të më të lirë. Ministria e Infrastrukturës njëjtë sikur në llotin I, nga 23 oferta, të përgjegjshëm kishte shpallur vetëm ofertën e koncerziumit “Granit & Inginiering & Armendi”, e cila kishte ofertuar me 6 milionë e 223 mijë e 855 euro (6,223,855.64).

Nga 23 oferta, Ministria e Infrastrukturës, 22 prej tyre i ka shpallur të papërgjegjshme, ku 14 prej këtyre kompanive të shpallura të papërgjegjshme kanë qenë më oferta më të lira sesa operatori fitues. Operatori “Dino” kishte ofertuar me vetëm 3 milionë e 722 mijë euro, por ishte eliminuar. Pra, Ministria e Infrastrukturës duke shpallur të papërgjegjshëm 22 operatorë, 14 prej tyre më të lirë, ka zgjedhur ofertën për së paku 2.5 milionë euro më të shtrenjtë.

Për pjesën e tretë të autostradës Prishtinë-Gjilan, ministria kishte pranuar 23 oferta. Njëjtë si me llotet paraprake, edhe këtu vlerësimet e Ministrisë së Infrastrukturës i nxorën 22 oferta të papërgjegjshme. Oferta fituese në këtë pjesë të autostradës kishte qenë 5 milionë e 131 mijë e 393 euro (5,131,393.81) e koncerziumit “RSM & Benita”.

Edhe për llotin III, shpallja e papërgjegjshme e 22 ofertave rezultoi me shpalljen fitues të ofertës më të shtrenjtë për 640 mijë e 946 euro. Pra, vetëm një ofertë (OE Dino 4,4 milionë euro) kishte qenë më e lirë sesa oferta fituese. Mirëpo edhe ajo, sipas ministrisë kishte qenë e papërgjegjshme.

Për pjesën e katërt të kësaj autostrada, Ministria e Infrastrukturës kishte zgjedhur ofertën prej 7 milionë e 413 mijë eurove (7,413,027.70) të konzorciumit “Kag Asfalt & Beni-com”. Edhe për këtë në ministri kishin shkuar 23 oferta dhe përsëri kjo e fundit i kishte shpallur 22 prej tyre të papërgjegjshme. Pra, siç shihet në ekspertizë, kanë qenë 2 oferta më të lira se oferta e shpallur fituese. Dallimi i ofertës më të ulët me atë fituese është 1 milion e 329 mijë e 841 euro.

Për Ministrinë e Infrastrukturës edhe në llotin VI ishte vetëm një operator i përgjegjshëm, ndërsa 17 oferta të tjera i ka eliminuar. Në këtë llot janë eliminuar 13 operatorë që kanë ofertuar me çmim më të lirë sesa operatori i rekomanduar për kontratë, kompania “Bejta & Bass”. Në pjesën VI të kësaj autostrade fitoi oferta e dytë më e shtrenjtë për nga çmimi, me vlerë 18 milionë e 134 mijë e 701 euro. Edhe këtu, nga 18 oferta sa ishin dërguar për këtë pjesë të autostradës, vetëm njëra sipas ministrisë i ka plotësuar kushtet për të fituar tenderin. Avazi i njëjtë ka ndodhur edhe me llotin VI.

14 kompani kishin bërë oferta më të lira se oferta fituese e konzorciumit “Bejta & Bass”. Oferta më e lirë kishte qenë 9 milionë e 962 mijë e 760 euro, mirëpo ministria këtë ofertë së bashku me 13 tjera i kishte shpallur të papërgjegjshme. Dallimi i ofertës më të lirë të dorëzuar në ministri, por që ishin eliminuar, me atë fituese është 8 milionë e 171 mijë e 941 euro.

Edhe në pjesën e 7 të këtij tenderi ministria kishte shpallur vetëm një konzorcium si të përgjegjshëm, ndërsa 19 tjerë të papërgjegjshëm, ku 14 prej tyre kanë qenë më të lirë sesa oferta fituese e konzorciumit “Famis Co & Gjikura” me çmim prej 9 milionë e 272 mijë e 10 euro (9,272,010.90). Dallimi në mes të ofertës fituese dhe asaj që kishte ofruar më së liri, por që ishte eliminuar është 3 milionë e 760 mijë euro.

Në pjesën e fundit, llotin VIII ministria kishte pranuar gjithsej 19 oferta. Njëjtë si në të gjitha llotettjera edhe këtu përveç konzorciumit fitues, të tjerat ishin eliminuar për shkak që sipas ministrisë kishin qenë të papërgjegjshme. Fitues i llotit të fundit ishte shpallur kompania “Demastion & EuroKos”, në shumën prej 15 milionë e 914 euro (15,914,317). Nga kjo del se 16 oferta tjera më të lira se sa fituesi i ofertës ishin shpallur të papërgjegjshme. Oferta e rekomanduar për kontratë ishte për 6.1 milionë euro më e shtrenjtë sesa oferta më e lirë, e cila ishte eliminuar nga gara.

Efekti negativ në buxhet i e-prokurimit

Në këtë aktivitet të prokurimit janë ankuar 12 operatorë ekonomikë. Janë ankuar operatorët ekonomikë: 1- “JV Fusha & 4A-M”, 2- konzorciumi “GP & PAENBURG & Adria”, 3- konzorciumi “Rrukolli & Victoria International”, 4- “Lika Trade”, 5- Konzorciumi “Eskavatori & AB”, 6- “Conex Group”, 7- Konzorciumi “Pevlaku & Joos & Krasniqi”, 8- konzorciumi “2A Group & Alko Impex & Ex Fis & 2T”, 9- “Tali & Zuka & Ad Iliriden”, 10- Integral & Milenium Konstruction & Delia Group, 11- “Dino & Bageri”, si dhe oferta e 12 është e konzorciumit “Riviera & Mante TCI”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një kopje të ekspertizës së Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me 12 ankesat e operatorëve ekonomikë, të cilët pretendojnë që Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore. Ata janë ankuar pranë këtij organi pasi këta operatorë ekonomikë janë shpallur të papërgjegjshëm nga autoriteti kontraktues- Ministria e Infrastrukturës.

Siç shihet në ekspertizën e cila do të jetë objekt i shqyrtimit në seancës, e cila pritet të mbahet me datën 24 të këtij muaji, del se të gjitha ofertat e shpallura fituese janë më të larta se ofertat tjera të cilat ministria i ka shpallur të papërgjegjshme.

Tetë nga 12 operatorët që janë ankuar, përveç pretendimeve të veçanta, e kanë një pikë të përbashkët të ankesës.

“AK mbi bazën e interpretimit të marrë nga KRPP, për arsye të mosregjistrimit në sistemin e e-prokurimit të njërit nga anëtarët e konzorciumit, ka eliminuar 8 operatorë ekonomikë”, thuhet në raportin e ekspertizës.

Eksperti shqyrtues e ka kthyer një përgjigje uniforme për të gjithë ankuesit që janë eliminuar nga gara për shkak të mos-regjistrimt në sistemin e e-prokurimit.

Eksperti u ka dhënë të drejtë pretendimeve të operatorëve që në Dosjen e Tenderit nuk është kërkuar që anëtarët e konzorciumit duhet të jenë të regjistruar në platëformën elektronike. MIrëpo, ky lëshim nuk ka mjaftuar që eksperti t’u japë të drejtë operatorëve për këtë arsye të eliminimit nga gara.

Ky sistem kur ishte lansuar në vitin 2016 ishte thënë se do t’i kursejë buxhetit deri në 10 për qind të shpenzimeve që bëhen përmes procedurave të prokurimit, mirëpo në këtë tender mund të rezultojë që për shkak të mosregjistrimit të operatorëve, buxheti të paguajë më shtrenjtë për shtrimin e rrugës. Madje, të gjitha ofertat e operatorëve ekonomikë për këtë aktivitet të prokurimit janë dorëzuar në “kopje Fizike” dhe jo elektronike.

Eksperti shqyrtues duke u bazuar edhe në një interpretim të KRPP-së i cili thotë se “nëse një anëtar i konzorciumit nuk është regjistruar në platformë dhe/ose është regjistruar pas afatit të fundit për dorëzimin e tenderëve, tenderi i konzorciumit në fjalë duhet të refuzohet, pasi që sistemi elektronik i prokurimit nuk e njeh si konzorcium të plotë”.

Përveç ankesave që operatorët kanë bërë për arsyet e eliminimit të tyre, ka edhe ankesa të operatorëve që pretendojnë që Ministria e Infrastrukturës i ka rekomanduar për kontratë operatorët që nuk e kanë pasur dosjen e kompletuar dhe rrjedhimisht kanë qenë të papërgjegjshëm.

Ekspertiza

Siç shihet në dosjen që ka siguruar Gazeta JnK, eksperti shqyrtues në ekspertizën e tij ka dhënë 15 konstatime, shumica prej tyre tregojnë se ankesat e operatorëve ekonomikë që janë eliminuar nga gara duke u shpallur si të papërgjegjshëm janë pjesërisht të qëndrueshme.

Në mendimin e tij eksperti shqyrtues konstaton se autoriteti kontraktues- Ministria e Infrastrukturës për aktivitetin e prokurimit: me numër të brendshëm “M1 17 046 511” dhe numër të e-prokurimit: “205-17-2586-5-1-1”, nuk i ka respektuar në tërësi dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik.

Eksperti shqyrtues në ekspertizën e tij i propozon panelit shqyrtues që të gjitha ankesat e operatorëve ekonomikë/konzorciumeve ankuese të pranohen si pjesërisht të bazuara;

Eksperti shqyrtues i propozon panelit që vendimi i autoritetit kontraktues për dhënie të kontratës për llotet I, II, III, IV dhe VI të mbetet në fuqi. Kurse për llotet V, VII dhe VIII eksperti shqyrtues i rekomandon panelit shqyrtues që ta anulojë vendimin për dhënien e kontratës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe propozon që aktiviteti i prokurimit për llotet V, VII dhe VIII të rivlerësohet.

Gjithashtu eksperti shqyrtues i ka rekomanduar autoritetit kontraktues që gjatë vlerësimit të ofertave të zbatohen në tërësi dispozitat e LPP-së dhe të merren parasysh kërkesat e parapara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit.

Sipas ekspertit shqyrtues, Ministria e Infrastrukturës i ka shpallur të papërgjegjshëm 8 operatorë ekonomikë për shkak të mosregjistrimit në sistemin e e-prokurimit të njërit nga anëtarët e konzorciumit. Ndërsa, tri kompani apo konzorciume janë eliminuar nga gara mbi bazën e asaj se nuk i kanë plotësuar disa kërkesat e parashtruara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit mbi kapacitetin teknik dhe profesional.

Lini një Përgjigje